AirBnB – një ‘lulëzim’ biznesi me zotërues apartamentesh të pa përgatitur për sfidat? 

airbnb probleme
Photo: Getty Images

Kjo verë ka qenë vërtetë e nxehtë, e në këtë rast nuk i referohemi vetëm motit apokaliptik. Videot në rrjetet sociale por edhe komentet e turistëve, “ziejnë” me vërejtje apo lëvdata për eksperiencën në Shqipëri.

Por, ka patur edhe një tjetër kategori, që duket se ka kohë që shijon interesin e krijuar për vendin tonë, pa shumë ‘zhurmë’. Ashtu, qetë-qetë, më shumë nga dëshira e më pak nga dija e profesionalizmi, zotëruesit e AirBnB-ve janë shtuar ndjeshëm.

Ajo që pritësit i gjeti të papërgatitur, nuk ishte veç kërkesa e lartë, por edhe disa ndodhi jo pak shqetësuese. Klientë që ikin pa paguar ose shkaktojnë dëme në pronë? Po ata që vjedhin peshqirët a ndonjë tharëse flokësh? Për të mos folur për…si quhej? Sulm kibernetik?! Oh, sa të koklavitura paskan qenë këto punë…

A dinë pritësit të përballen me të gjitha këto? Kjo varet pa diskutim nga shumë rrethana, por mbi gjithçka: nga vitet e eksperiencës së jetuar e të provuar, vite që krijohen nga ‘thinjat’ personale, ose të gjyshërve të cilët lënë pas trashëgiminë e të bërit turizëm.

Por, sot nuk do të shkruajmë për çfarë bëjnë apo jo siç duhet zotëruesit e apartamenteve. Bazuar mbi shumë raportime mashtrimesh, le të fokusohemi pak mbi risitë e industrisë së dhënies së apartamenteve me qira. Bazuar mbi platformën më të madhe globale: AirBnb, si mund të mbrohen pronarët tanë, ndaj surprizave të pakëndshme?

Si mund të shmangni problemin e klientëve që largohen pa paguar?

1. Kërkoni parapagim: Sigurisht, kjo shoqërohet me deklarimin e saktë të të ardhurave, për sa kohë parapagimi do të kalojë me transfertë bankare. Por, do të duhet të fillojmë të paguajmë ndonjë taksë, për të parë dy ditë më të mira në këtë vend, apo jo?

Në pikun e sezonit, atëherë kur ju e dini që anulimet në moment të fundit ju prishin shumë punë, konsideroni opsionin e politikave “Strict” ose “Super Strict” në AirBnB. Kjo shmang në mënyrë të ndjeshme anulimet. Nga ana tjetër, pjesën e mbetur të pagesës kërkojeni sapo të keni dorëzuar shtëpinë/dhomën tek klienti.

2. Shmangni pagesa të formës ‘cash’: Në një botë ku pagesat kryhen edhe me ‘face/eye recognition’ – format tradicionale të letrave thuajse nuk përdoren më fare në disa shtete. Ne tashmë presim shumë turistë të huaj, dhe e dimë fare mirë mungesën e gjetjes apo funksionimit të bankomateve, në qytete të ndryshme turistike. Përse të krijoni siklete të panevojshmë për klientët?

3. Verifoni klientët: AirBnB ka opsionin ku pritësit shkruajnë përshtypjet e tyre për klientët. Pra edhe klientëve, iu bëhet “review”. Tentoni të studioni pak se kë do të fusni në apartament, kërkoni emrin e personit në Google, shihni seriozitetin e klientit. Nëse një emër nuk figuron asgjëkundi në Google, më mirë bëni kujdes me qartësimin e politikave.

Çfarë mund të bëni për dëmet e shkaktuara?

Në biznes, 1+1 nuk bëjnë gjithmonë 2!

Ka interpretime, ka kompromise, ka kosto relative që duhen marrë parasysh. Tek Ema’s Light, kemi patur raportime si nga klientët (të cilëve mund t’u jetë kërkuar €300 dëmshpërblim, për disa njolla gishtërinjsh në mur), ashtu siç kemi patur raportim edhe nga zotëruesit e apartameteve, ku dukshëm në foto, ambienti është lënë i shkatërruar. Në këtë pikë, ka një tendencë që gjërat të zgjidhen me fjalë…Jo miq, rregullat duhen paraprirë.

Në listimin tuaj (qoftë në AirBnB, Booking, apo çdo platformë tjetër), vendosni “House Rules” – pra disa rregullave të përgjithshme, ku të specifikohet penaliteti për dëme të mundshme. Zakonisht, rregullat nuk vendosen me shkronja kapitale dhe bold, se nuk duam të trembim klientët 😅 Ka mënyra fine dhe profesionale për të shkruar një paragraf me shkronja të vogla, ku të specifikohen disa gjëra që kanë vlerë 😉

Depozitat e sigurisë: Airbnb ka një opsion që i mundëson zotëruesve të apartameteve, të kërkojnë një depozitë sigurie (një tarifë të “ngrirë”, e cila i rikthehet klientëve pasi të largohen). Kjo depozitë, mund të mbulojë çdo dëmtim të mundshëm ose tarifë të papaguar. Vetëm, sigurohuni që të deklaroni qartë shumën e depozitës, kur të listoni apartamentin.

Si të shmangni sulmet kibernetike?

Këtë sezon, kanë qarkulluar disa emaile nga hackers, të cilët rezervojnë apartamentin e më pas dërgojnë “kërkesën specifike” me email, si psh: “jam alergjik, po ju dërgoj në këtë folder të dhënat për produktet që më shkaktojnë alergji”. Nëse ju bini pre, hacker-at futen tek databaza juaj dhe marrin të dhënat e kartave bankare të klientëve.

Në këtë pikë, e mira është të ndiqen të gjitha këshillat që kanë të bëjnë me kujdesin ndaj sulmeve kibernetike (ka shumë informacion në internet).

Verifikoni personin që po ju dërgon emailin apo mesazhin. A ka rezervuar vërtetë tek ju?
Lexoni me kujdes emailin për çdo shenjë ‘phishing’, si përshembull: përshëndetje standarde, gabime drejtshkrimore ose kërkesa të pazakonta (si rasti specifik i dosjes mjekësore të alergenëve).
Mos klikoni mbi linqet që ju dërgohen: Në vend që të klikoni, vendosni treguesin e mousit mbi link për të parë se ku të çon. Sigurohuni që URL-ja përputhet me website-n legjitim nga i cili pretendohet se po dërgohet e-maili.
Kujdes nga elementi “urgjencë”: email-et phishing shpesh krijojnë një ndjenjë urgjence në formë presioni për veprime të menjëhershme. Jini skeptik ndaj email-eve që kërkojnë përgjigje të shpejta.

E për ta përmbyllur, në një vend me informalitet të lartë, nuk pretendojmë që një artikull do të ndryshojë formën e të operuarit. Disa risqe duhen marrë përsipër, duke u futur në kosto të përgjithshme, nuk mund të jeni në botën e biznesit e të pretendoni se çdo kosto do të jetë vetëm e formës direkte.

Ta zëmë se nuk i keni mirë “marrëdhëniet me bankën” 😅 Atëherë, merrni parasysh që mashtrime do të ketë! Në vend që të ‘tërboheni’ për dëmet e shkaktuara, quajeni një formë “trade off-i”, për ato taksa të kursyera 😉

Ne personave të shifrave, na kanë mësuar se:

HIGH RISKS = HIGH RETURNS