Të ulemi pranë dritares apo në sediljen e mesit? Të marrim valixhe me vete apo jo? Sa herët duhet të mbërrijmë në aeroport? Udhëtimi me avion vjen me plot dilema, ku secili prej nesh ka mënyrën e tij të përgatitjes për një fluturim. Një nga këto dilema është edhe nëse duhet të printojmë boarding pass apo jo. Epo, përgjigja është më e komplikuar sesa e mendoni.
Për të qënë sa më të kujdesshëm dhe për të evituar çdo problematikë, rekomandojmë që të printoni boarding pass-in tuaj, edhe në rast se ju e keni atë në telefon. Madje, edhe vetë stjuardesat thonë se preferojnë të përdorin boarding pass të printuara, pasi janë më të lehta në përdorim. Sipas tyre, në rast se telefoni nuk ka bateri ose gate ndodhet në një zonë ku nuk ka valë, përdorimi i boarding pass në celular bëhet edhe më i sikletshëm. Dhe normalisht, asnjë nuk pëlqen të vonojë dhe pasagjerët e tjerë gjatë procesit të imbarkimit në avion.
Rekomandohet gjithashtu që të përdoren boarding pass të printuara në fluturimet me tranzit, pasi gjatë kohës që prisni, ka edhe më shumë gjasa që të keni pak bateri në telefonin tuaj. Gjithashtu, në shumicën e rasteve, agjentët e kontrollit doganor kërkojnë të shohin boarding pass dhe të dhëna të tjera të fluturimit tuaj. Në të tilla raste, është më e thjeshtë që t’ja jepni atyre të printuar sesa të përdorni telefonin, i cili shpesh herë nuk ka valë ose internet në një shtet tjetër.
Nëse jeni duke fluturuar nga aeroporti i Rinasit, ju jeni të detyruar të printoni boarding pass-in tuaj. Megjithatë, ky vendim duhet të merret në konsideratë nëse po fluturoni nga aeroporte të tjera, ku ju jepet mundësia që të përdorni një boarding pass elektronik. Kini parasysh se, nëse zgjidhni të printoni boarding pass-in tuaj, rekomandohet të mbërrini më herët se zakonisht në aeroport për të marrë boarding pass-in pranë linjës ajrore me të cilën po fluturoni.
Normalisht që nuk ka asnjë problem që të përdorni edhe boarding pass elektronik në celularin tuaj. Madje, për disa prej nesh, ai është mjaft më praktik në krahasim me një boarding pass të printuar. Megjithatë, për të qënë sa më të kujdesshëm, përdorimi i një boarding pass të printuar nuk është aspak ide e keqe. Pavarësisht nëse zgjidhni ta printoni apo jo, ne ju rekomandojmë të bëni një foto të boarding pass (dhe të mos ta shpërndani atë në rrjetet sociale), pasi mund t’ju nevojitet në rast anulimi, vonesash ose problematikash të tjera gjatë fluturimit.
Po ju, preferoni ta printoni boarding pass apo ta ruani atë në telefonin tuaj?
Se kam printuar asnjehere. Baterine e zgjidh me nje powerbank me vete gjithmone. Interneti sme duhet se e kaloj gjithmone ne wallet. Per cdo incidence tjeter ia jap nje kopje burrit. Ja nje arsye me shume per te udhetuar me burrin 🙂