Sistemi ETIAS u prezantua fillimisht në vitin 2016 dhe parashikohej që të niste operimin në muajin Shkurt të këtij viti. Nëpërmjet këtij sistemi, të gjithë udhëtarëve nga vendet që nuk kanë viza drejt BE, përfshirë këtu vendin tonë, do t’iu duhej të aplikonin online përpara se të vizitonin vendet e zonës Schengen dhe Bashkimit Evropian. Ky aplikim do të kushtonte €7 dhe do të ishte i nevojshëm për të gjithë udhëtarët e moshës 18-70 vjeç.
Për shkak të problemeve teknike, BE njoftoi më herët se sistemi ETIAS do të vendosej në punë duke nisur nga viti 2024. Megjithatë, duket se ky sistem ende po vuan nga problematikat, pasi sipas disa burimeve nga Bashkimi Evropian, implementimi i ETIAS do të nisë nga muaji Maj i 2025-ës. Kjo shtyrje vjen si pasojë e problematikave që ka hasur implementimi i sistemit EES (Entry-Exit System), nga i cili varet plotësisht funksioni i sistemit ETIAS.
Sipas burimeve, pritej që sistemi EES të implementohej në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër, e më pas sistemi ETIAS të niste funksionimin 5-6 muaj më vonë. Por, si pasojë e vonesave të paparashikuara, data më e hershme nga kur sistemi ETIAS mund të nisë të operojë është Maj 2025, por priten dhe vonesa të tjera.
Deri më tani, ky lajm është konfirmuar nga disa burime të besueshme, përfshirë këtu Anitta Hipper, zëdhënësen e Komisionit Evropian për Punët e Brendshme, Migracionin dhe Sigurinë e Brendshme, e cila thotë se sistemi ETIAS nuk mund të operojë nëse sistemi EES nuk është funksional. Lajmi është konfirmuar gjithashtu nga Sekretariati Zvicerian i Migracionit, i cili thotë se momentalisht data më e hershme e parashikuar për fillimin e implementimit të këtij sistemi është Maj 2025.
Vetë Direktorati i Migracionit dhe Punëve të Brendshme të Komisionit Evropian ende nuk ka njoftuar një datë ekzakte për implementimin e plotë të ETIAS. Megjithatë, ata kanë njoftuar se data zyrtare e implementimit do të njoftohet në fund të vitit 2023.