Në pikun e sezonit turistik në Itali, reja e hirit nga shpërthimi i vullkanit Etna mbrëmjen e ditës së djeshme ka shkaktuar anulime, vonesa dhe devijime fluturimesh në Siçili.
Shumica e fluturimeve drejt dhe nga aeroporti i Katanias janë anuluar, me autoritetet e aeroportit që sapo kanë lajmëruar në Twitter se fluturimet do të rinisin ditën e nesërme në orën 06:00. Katania është aeroporti i dytë më i madh i Siçilisë dhe disa linja si Wizz Air, Ryanair dhe ITA operojnë fluturime drejt Shqipërisë.
🔴 Due to Etna eruption, and fallout of volcanic ash, #CTAairport is closed until 6 a.m. on Tuesday, August 15.
— Aeroporto di Catania (@CTAairport) August 14, 2023
Please contact the airline for information about your flight
Momentalisht, Etna është qetësuar, por në Katania ka ende shumë hi në rrugë dhe kryebashkiaku ka ndaluar përdorimin e motoçikletave deri ditën e mërkurë, ndërsa makinat nuk mund të ecin me shpejtësi mbi 30km/h.
95% e fluturimeve nga aeroporti i Katanias janë anuluar gjatë ditës së sotme, ndërkohë që një pjesë janë devijuar drejt aeroporteve të tjera të Siçilisë si Palermo dhe Trapani, të cilat ndodhen 4-5 orë larg Katanias. Zakonisht, aeroporti nuk ofron opsione transporti për pasagjerët në të tilla raste dhe Siçilia nuk ka një sistem të mirë transporti publik, kështu që lëvizja midis aeroporteve është problematike, në rast se zgjidhni të udhëtoni nga një aeroport tjetër.
Kjo situatë ka ndikuar dhe aeroportet e tjera. Edhe aeroporti i Comisos në Siçili, i cili ndodhet pranë Katanias, ka patur mjaft anulime këtë mëngjes. Gjithashtu, fluturimet e tjera që kalojnë në këtë zonë ajrore janë devijuar për të shmangur renë e hirit. Këto devijime do të shkaktojnë vonesa.
Duke marrë parasysh që fluturimet janë anuluar për shkaqe natyrore, nuk besojmë se linjat ajrore do të ofrojnë kompensim për udhëtarët. Megjithatë, do t’ju rekomandonim të ruanit faturat e hotelit dhe taksive dhe të provoni të merrni rimbursim për shpenzimet, edhe pse duket e vështirë.
Ne do t’ju mbajmë të informuar në vazhdim mbi ecurinë e situatës në aeroportet e Siçilisë.