Pogradeci, ky qytet “palcërisht shqiptar’ – siç thoshte i madhi Lasgush Poradeci, ka qenë gjithmonë një nga qytetet më ftuese të vendit. Kjo, jo vetëm nga peizazhi i paqtë që të ofron liqeni i Ohrit, bukuritë natyrore të Drilonit apo rrugicat me kalldrëm të Tushemishtit, por edhe nga mikpritja e vendasve të cilët shquhen për çiltërsinë e tyre. E për të përmbushur panoramën e kënaqësisë, në Pogradec gjendet peshku endemik i koranit, i cili thuhet se edhe mbretëreshës Elizabetë i mbeti merak 🙂
Por, teksa ndalova në rrugë për të blerë disa nga zahiretë që shiten rrugicave të Tushemishtit, një zonjë e vjetër më thotë: ‘Eh me çupë, ku ka më koran Pogradeci’…Shtanga! Sipas zonjës (konfirmuar kjo jo vetëm nga çfarë flitet por, edhe nga informacionet që lexova), duket se korani – një nga speciet më të rralla në botë – është drejt zhdukjes. Kjo, për shkak të gjuetisë së paligjshme.
Nga ana tjetër, jo pak herë diskutohet se korani ngatërrohet me troftën dhe se peshku që konsumojnë turistët, nuk është çudi të mos jetë në fakt, korani ynë i dashur…Zonja shtoi se korani drejtohet për nga ana Maqedonase e Ohrit, sepse fqinjët jo vetëm i gjuajnë, por edhe i ushqejnë. Ndërsa krahu ynë, preferon thjesht ti gjuajë 🙁
Se sa të drejtë kish zonja fisnike në ato që thoshte, këtë nuk mund ta di me siguri. Por, ajo që unë di, është se fundjavat në Pogradec të lënë shijen e qetësisë për të cilën kemi aq shumë nevojë.
Si të mbërrish në Pogradec?
Pogradeci ndodhet rreth dy orë larg Tiranës dhe më pak se një orë nga Korça. Rruga është e mirë dhe mjaft piktoreske sapo kalon Qafë Thanën, teksa përshëndetesh me fshatin e Linit dhe peizazhin që të ofron liqeni i Ohrit. Nëse jeni duke udhëtuar nga Maqedonia, Pogradeci ndodhet rreth gjysmë ore larg doganës së Qafë Thanës dhe diçka më pak nga dogana e Shën Naumit.
Ku të qëndrosh në Pogradec?
- British Hotel (version ekonomik)
- Garden Villa
- Hymeti’s Palace
- Pogradeci 1
- Voloreka Drilon
- Bujtina Ollga Tushemisht
Çfarë të bësh në Pogradec?
Jeta e Pogradecit është e përqëndruar kryesisht përgjatë pedonales së qytetit, buzë liqenit. Duke qënë i vetmi plazh përgjatë brigjeve të Ohrit, Pogradeci preferohet nga familjarët, por edhe nga pushuesit maqedonas gjatë sezonit të verës. Këta turistë i japin qytetit gjallëri dhe në verë ka plot aktivitete, qoftë gjatë ditës, por edhe në mbrëmje.
Fare pranë Pogradecit gjendet Parku Kombëtar i Drilonit. Jo më kot ky vend ka qenë rezidenca private e Enver Hoxhës. Ky burim shfaqet si një oaz në mes të gjelbërimit. Fëmijët kanë hapësirë që të luajnë e të vrapojnë, ndërkohë që një drekë në restorantet e parkut, në mes qetësisë natyrore, është një “must”.
Nëse doni një eksperiencë ndryshe, në afërsi të Drilonit ndodhet gjithashtu edhe kartodromi i Drilonit.
Në afërsi të kufirit me Maqedoninë ndodhet edhe Tushemishti, ku krahëhapur na pret Teto Ollga, së bashku me kujtimet që mbartin filmat “Zonja nga qyteti” e “Shoqja nga fshati”. Ky fshat i vogël ka filluar të lërë pas rrugët me kalldrëm të së shkuarës, për t’u shtruar me pllaka. Edhe këtu mund të çlodheni duke shëtitur ose duke ngrënë një lakror në saç, veç kini mendjen të ruani fëmijët se mos bien në lumë si Maloja 😅 .
Nëse jeni të apasionuar pas arkeologjisë dhe historisë, mund të ndaloni në Lin, fshatin e ngritur në rrëzë të një gadishulli, ku së fundmi janë zbuluar prova se është vendbanimi më i vjetër në Evropë.
Restorante në Pogradec
Te Loshi (Restorant Poradeci): Ky restorant është ndër më të vjetrit në Pogradec, më shumë se i thjeshtë por edhe shumë autentik. ‘Te Loshi’ ofrohen tava me mish të egër si edhe gatime tipike të zonës. Sigurohuni të rezervoni tek dhoma me oxhak.
Rosa e Tymosur: ruan kulinarinë vendase, por e risjell në mënyrë të rafinuar, si për shijen, ashtu edhe për syrin. Restoranti është i famshëm sepse ka qenë ndër të parët që ka ofruar pjata ndryshe nga standardja e Pogradecit, por me famën vijnë sigurisht edhe përshtypje të ndryshme. Ambienti është i ngushtë dhe mund të krijohet pak rrëmujë në orët e pikut.
Restorant Dante: restoranti nuk shërben alkool, por të lejon ta marrësh nga jashtë. Më është dukur një gatim i pastër dhe i saktë. Mos harroni të provoni cheesecake-un me çokollatë.
The Change: Një restorant buzë liqenit i cili për nga vetë emri, ka sjellë risi në Pogradec, duke ofruar opsione jashtë standardes për vendasit. Të tilla janë gatime si: sushi, mishra të vjetëruar, pasta italiane etj. Për këtë restorant mund të lexoni përshtypjet e mija të plota këtu.
Toka Restaurant: Restoranti ndodhet rreth 10min larg qytetit. Është një investim relativish i ri, i cili duket se tërheq edhe vetë vendasit. Unë nuk e kam provuar, por ishte mjaft i lakuar në komunitetin e Ema’s Light.
Vila Art në Drilon: Ky ambient është edhe ish-rezidenca e Enver Hoxhës. Shijohet veçanërisht në mot të ngrohtë me diell, pasi peizazhi në Drilon është fantastik. Unë jam ulur rastësisht në këtë vend, por korani me salcë e arra, na kënaqi.