/

The Change Pogradec / Review

The Change është një restorant buzë liqenit i cili për nga vetë emri, ka sjellë risi në Pogradec, duke ofruar opsione jashtë standardes për vendasit, siç është: sushi, mishra të vjetëruar, pasta italiane etj. Kjo gjë kërkon guxim, ndaj dhe me kureshtje nxitova ta provoj, nisur nga sugjerimet tuaja.

Gjatë kthimit nga Selaniku, vendosem të drekonim këtu. Menuja tregonte qartazi orientimin nga kuzhina greke, si për nga emërtimet (të shqipëruara në mënyrë disi amatoreske), ashtu edhe për nga përbërësit e disa pjatave.

Nga ana tjetër, gatime si sushi apo Tomahawk, tentonin të targetonin kryesisht klientelën nga Tirana.

🤵🏼Shërbimi: korrekt dhe i shpejtë. Uji na u shërbye pa pagesë. 😊

Në lidhje me ushqimin: Pogradecin e kam përzemër e dua të jem e kujdesshme ndaj çdo biznesi të tij, por nga ana tjetër më duhet të jem e vërtetë:

change pogradec sushi

🍣 Sushi: siç duket edhe në foto, orizi i makit ishte aq i qullët, sa shkopinjte mezi i kapnin. Kishte tepri salcash dhe ndër katër veta që ishim, na u shërbye veç një kupë e mbushur gati me salce soje 😅

change pogradec tomahawk

🥩 Tomahawk: realisht do të doja shumë të shkruaja fjalë të tjera por jo, ai që konsumuam nuk kishte butësinë e një tomahowk-u. Mishin e kërkuam ‘medium rare’ dhe sado që e vlerësoj spektaklin e ofruar me gatimin e mishit përpara klientit, ai spektakël e poqi mishin më shumë seç duhej. Qepët, domatet e rigoni i shërbyer mbi Tomahawk, më humbën konceptimin e asaj çka po konsumoja…

Pjatat e kuzhinës greke i përafroheshin recetave origjinale, mgjth, personalisht nëse do të kisha dashur ushqim grek (fjala që bie, se nuk e kam ndonjë merak 😅), atëherë fqinjtë janë fare pranë.

Një sugjerim i imi, do të ishte ofrimi i kuzhines tradicionale me teknika e ndërthurje moderne, duke përfshirë përbërës të zonës. Ose, nëse guxojmë me kuzhina të huaja, përse të mos provojmë sushi apo tartar korani? 😉

Çmimet më ngjanë shumë të mira dhe me pak më shumë ekspertizë, restoranti do të ketë sukses të sigurtë 😊