Pas pandemisë, përtej stafit të reduktuar, mungesës së pilotëve apo grevave të punonjësve të aeroporteve, po ndodh edhe një fenomen që quhet “revenge traveling” – që praktikisht është nxitja e lartë për të udhëtuar pas një kohe të gjatë kufizimesh.
Përgjatë verës që lamë pas, qielli ka qenë tejet i ngarkuar jo vetëm me fluturime, por edhe me problematika të panumërta. Kushtet atmosferike dhe ngrohja globale, nuk është se kanë ndihmuar në rregullimin e situatës, me raste zjarresh në Siçili, në Spanjë e në Greqi, ndonjëherë me bilance fatale…
Edhe vendi ynë nuk ishte imun ndaj kaosit global, ndaj tek Ema’s Light ka patur qindra mesazhe me pyetje të shumta rreth mënyrës se si duhet të kërkojmë kompensim, për të cilin ne kemi dedikuar një artikull të plotë këtu.
Sidoqoftë, edhe nëse të gjitha rregullat ndiqen rigorozisht, linjat ajrore kanë tendencën të mos japin kompensimin që na takon.
Ndaj, në këtë artikull mendova të jap shembullin tim personal, se si bëra ‘claim’ në website-n e linjës ajrore dhe se si arrita të marr gjithçka që më takon nga kompania e ndërmjetësimit sky-rights.com.
Teksa po ktheheshim nga Nisa drejt Tiranës me Wizz Air, në aeroport zbuluam se fluturimi ynë, i planifikuar të nisej në orën 17:40, ishte shtyrë për ditën e nesërme në orën 7:00 të mëngjesit.
Në rast se fluturimi juaj vonohet më shumë sesa tre orë, linja ajrore ka si detyrim t’ju kompensojë për vlerën që ju takon në bazë të distancës së fluturimit (duke filluar nga 250€), si dhe të sigurojë ushqim e pije gjatë kohës së pritjes në aeroport. Nëse fluturimi shtyhet për ditën tjetër, linja ajrore gjithashtu do të kompensojë shpenzimet e shkaktuara si pasojë e vonesës, siç janë akomodimi apo transporti për/nga aeroporti. Duke qënë se fëmijët ishin të lodhur nga pritja e gjatë e procedurave, ne vendosëm të qëndronim në një hotel pranë aeroportit, me çmim total 280€, ndërkohë që taksia drejt aerportit kushtoi 30€.
Pasi kisha kërkuar për kompensim nëpërmjet ‘Claim Form’ të Wizz Air, rreth 1 javë pas mbërritjes morrëm e-mailin ku Wizz Air njoftonte se do të kompensoheshim vetëm për shpenzimet e hotelit dhe transportit. Ndërkohë, kompensimi prej €250 për secilin nga pasagjerët, nuk do të na jepej, pasi sipas tyre vonesa ndodhi për arsye madhore jashtë kontrollit të tyre, teksa në të vërtetë ishte një difekt i rrotës së avionit, i cili përfshihet tek arsyet teknike dhe rrjedhimisht vlen për kompensim. Sigurisht, nuk e lashë me kaq! Vendosa të kontaktoj me kompaninë e ndërmjetësimit SkyRights, të cilën ma rekomanduan disa ndjekës në instagram. Sado e padrejtë të duket, linjat ajrore e kanë të vështirë t’u fshihen të drejtave të pasagjerëve kur kërkohen nga këto kompani, ndërsa ne si pasagjerë nuk jemi ekspertë të rregulloreve.
Kini kujdes kur zgjidhni kompaninë e kompensimit, pasi më kanë raportuar për faqe mashtruese, në të cilat mund të bëni aplikimin, por nuk do të merrni kurrë paratë tuaja mbrapsht! Në faqen zyrtare të SkyRights, ndodhet një formular, në të cilin plotësova të dhënat personale për çdo anëtar të familjes që udhëtonte me mua, si edhe detajet e fluturimit.
Pasi dërgova aplikimin, morra një e-mail konfirmimi se aplikimi im ishte dërguar me sukses. Kini parasysh se, si në rastin tim, email-i nga SkyRights erdhi në Spam, prandaj hidhini një sy edhe këtij folder-i nëse e-maili juaj nuk po vjen.
Pas më pak se dy javësh nga aplikimi, mora një email nga SkyRights, i cili tregonte se aplikimi im ishte i suksesshëm dhe se unë do të merrja një kompensim prej €250 për secilin prej nesh! Nga shuma totale, SkyRights mbajti si komision 35% të vlerës së kompensimit.
Pas afro 10 ditësh nga konfirmimi i përftimit të kompensimit, paratë u dërguan në llogarinë time bankare. Më pyesni shpesh rreth kohëzgjatjes së momentit në të cilat kompensimi konkretizohet, ndaj për fat mua nuk m’u vonuan.
Si përfundim, pas kësaj eksperience të pakëndshme, konfirmoj se linjat ajrore (kryesisht ato ‘low cost’), do të bëjnë përpjektjet maksimale për të mos ju dhënë kompensimin që ju takon, ndaj kompanitë e ndërmjetësimit si SkyRights janë më efikase sepse kanë edhe departament me avokatë e profesionistë, të cilët i kërkojnë të drejtat ndonjëherë më mirë se vetë ne.
Jam e lumtur që ato €650 nuk ia fala WizzAir-it, pas asaj lodhjeje të pafundme me fëmijët. Uroj të mos keni kurrë nevojë për këtë artikull dhe paçi dritë në çdo udhëtim!