//

Brutal Restaurant Tirana / Review

brutal review

Brutal, nje restorant i hapur rishtazi në Tiranë, është intrigues për nga filozofia që përcjell. Në arkitekturë ndihet koncepti i brutalizmit, kjo nostalgji e pas 1940-ës. ku edhe ikonat në mure paraqesin ndërtesa me pamje masive, monolite, e ‘bllokuese’, të nje stili të ngurtë gjeometrik. Arredimi dhe ngjyrimi në tulle dhe flori, paraqitur në mënyrë moderne, e bënin ambientin ndjellës. Muzika në sfond (sidomos Cezaria Evora), ishte shumë e gjetur për të përmbushur eksperiencën në tërësi, teksa pritej ai ushqimi gourmet, të cilin do të doja ta deshifroja në detaj.

brutal gjalpe

Po filloj me ushqimin: pjata e servirur në mes, në dukje si mermer, në fakt është gjalpë. Tre lloje gjalpi: me domate, me erëza dhe me karbon vegjetal, shoqëronin bukën e thekur, e cila ishte një gjetje e zgjuar (dhe shumë e shijshme) e lokalit për të na ngopur paraprakisht 😊

Carpaccio Toni (950L): shoqëruar me beurre noisette (një formë gjalpi i shkrirë, që vazhdon të gatuhet, derisa përftohet një ngjyrë e karameltë), qiqra dhe koriandër. Shkriftësia e tonit të freskët, prerë në formë carpaccio, shoqëruar me beurre noisette, ishte në majë, butësinë e së cilës në pjatë ia shtonin edhe qiqrat. Sidoqoftë, më pëlqeu që koriandra apo qepët e njoma, lime dhe erëzat e tjera, kishin krijuar kontrast në shije, ndryshe do të kish mbetur një pjatë lineare. Balanca e shijeve ish krijuar më së miri. Një pjatë që e rekomandoj shumë.

brutal carpaccio toni
brutal tartar vici

Tartar vici (700L): kjo pjatë, që është tashmë pjesë e shumë restoranteve “high end”, ka filluar të jetë një nga të preferuarat e mia. Problemi kryesor është se pjata është me risk të porositet dokudo, pasi kërkon ndjekjen e rregullave higjienike, për te mos u infektuar me baktere apo toxoplazmozë. Pjata ndër shekuj ka patur variante të ndryshme të shoqërimit të tartarit, por klasikisht vëmendje merr mishi i pagatuar (punuar me dorë), e verdha e vezës e pagatuar, si edhe shoqërimi me bukë të thekur. Erëzat e përbërësit e tjerë i lihen hapur imagjinatës. Tek Brutal, më mungoi të shihja atë topin e rrumbullakët e të bukur të vezës (edhe pse ishte inkorporuar brenda), por problemin kryesor e hasa në lëngëzimin e tepërt të pjatës. Thartësia e kimchi-t kishte mbivendosur ndjeshëm shijen e vetë mishit, e në vetvete pjata kishte më shumë marinim e shoqërim me salca seç do të kisha preferuar për shijen time. Kishte pak konflikt në balancën e shijeve, tartari kish humbur vëmendjen e tij në pjatë.

Tartar Violë (1,850L): tartari i karkalecit, e për më tepër i llojit violë (aq i ëmbël, i butë dhe i dashur për mua), futet tek ato pjata feminile me përbërës tejët delikat. Kamerieri na tha se pjata kishte 18 përbërës! Unë sigurisht, nuk mund të veçoj çdonjërin prej tyre, por di të them se ëmbëlsia e karkalecit duhet balancuar patjetër, ndaj ajo që unë evidentova si veçanti në këtë rast ishte shija pikante në pjatë (e cila mua më përkëdheli palatumin), si edhe pudra e algës së detit, që e dërgon pjatën në tjetër nivel. Do të kisha dashur të ish perdorur sasi më e vogel e salcës së avokados, por, përpos kësaj, më pëlqeu pafund shpërthimi i një pjate “sweet-sour-spicy”. Adhuroj guximin tek chef-at!

brutal tartar viole
brutal risotto tartuf lajthi

Rissoto me lajthi e krem tartufi (950L): italianët një risotto të gatuar siç duhet e përshkruajnë si “all’onda”. Pra, si një valë, që do të thotë se risotto ka një kremozitet gati-gati si tërhanë, por kokrrizat individuale janë pak më të forta e kanë strukturë të dallueshme. Këtë pjatë e gjeta teknikisht korrekte, shijet amalgamoheshin mirë, lajthitë i jepnin një thyerje të këndshme (sepse tartufi tenton të velë pjatën hera-herës).

Përmbledhje: Brutal është ndër ato vende që mua më ngjall dëshirë të provoj çdo pjatë, sepse dua të ndiej imagjinatën e chef-ave. Menaxhimi nuk do e ketë të lehtë, sepse në Shqipëri ka shumë zgjedhje cilësore dhe ekonomike. Vendet me standard të një tjetër niveli tentojnë të paragjykohen, sepse, le ta themi hapur, restoranti nuk është i lirë.

Këshilla ime për chefin: ji brutal! Kam qënë në 3 restorante ku e kam kuptuar direkt nga përmbajtja e pjatës, se chef ishte pikërisht Gent Malaveci. E kuptoj që çdo chef ka “signature dishes”, por në këtë nivel, do të doja të mos shihja uniformitet, por shpërthim imagjinate. Suksese!