//

Savoy Restaurant Tirana / Review

Savoy - një skenë vibrante me hapësirë për risi

Savoy Tirana
Savoy Tirana by Ema's Light

Toptha limonash të verdhë, vazo e pjata shumëngjyrëshe me motive Siçiliane, rrëzëllitje dritash përmes strukturës tërësisht të dominuar prej xhami – Savoy përcjell shkëlqim dhe elegancë. Ndaj, në maj të këtij viti, e vizitova restorantin e ri me entuziazëm sepse nuk isha thjesht në kërkim të një vakti, por të një përvoje unike… 

Ambienti 9/10:: Teksa hyra dhe zura vend në tavolinë, e vlerësova klasin e ambientit, i cili më ngjau tejet i përshtatshëm për një mbrëmje me stil. Megjithatë, në drekën e asaj pranvere, krijohej pak efekti “serë”. Pozicioni është shumë praktik, restoranti ndodhet tek ‘Kompleksi Delijorgji’ dhe vetë kompleksi ka parkim nëntokësor. 

Shërbimi 7.5-8/10: e si do të fillonim të qanim hallet clichè të vendit, nëse s’do të ekzistonte ndonjë kamerier humorist ëëë?
Dy vizita, dy eksperienca të ndryshme në këtë pikë. E para, drekë me dy mikesha. Njëra nga to pati një kureshtje pozitive ndaj investimit të ri dhe pyet: “po ambient brenda keni?” – dhe merr përgjigjen: “pse, s’të mjafton ty ky?”. Përgjigjen po ia faturojmë “kolaudimit” të biznesit të ri 😅.

Ndërkohë, në vizitën time të dytë (një muaj më pas), kamerieri ishte një tjetër djalë, i cili na shërbeu profesionalisht. Edhe një vajzë hostess më ngjau shumë e ëmbël dhe korrekte si në rezervim, ashtu edhe në pritje. Djalit që kish punuar në pub, do të duhet t’i thotë dikush se ‘fine dining’ kërkon tjetër përqasje…

Ushqimi 8/10: Ngazëllimi im u zbeh disi teksa i hidhja një sy menusë. Nisur nga dekori, prisja të kishte patur ndonjë gatim Siçilian. Frymëzimi nga kjo kulturë, a nuk do të duhej të ishte paraqitur edhe në pjatë?
Ndodh rëndom të kemi restorante me interier spektakolar por, me mungesë karakteri. Nuk përcillet një histori, një mesazh, nuk lidhet pamja me konceptin…
Menu-ja ofronte një spektër të larmishëm pjatash, të ekzekutuara mirë dhe të prezantuara këndshëm, por asnjë risi.

Dukshëm restoranti ishte përkushtuar për të ofruar pjata cilësore, nisur kjo nga përfshirja në menu e produkteve si: ‘jamon iberoco’ konsideruar si cremè de la cremè i proshutave, (është i rrallë dhe ka çmim të lartë), apo i kërpudhave ‘morel’ (edhe këto fungi delikate të çmuara në gastronomi).

Disa nga pjatat që porositëm:

Si appetizer, restoranti na shërbeu një gjalpë me erëza dhe bukë të ngrohtë.

Sallatë me djathë dhie (900L): 

Shija e pasur e djathit të dhisë, ishte kombinuar shumë mirë me fetat e mollës, me arra, me boronica, kishte aciditetin e duhur dhe e shijova shumë si pjatë.

IMG_9609
Savoy Tirana

Carpaccio viçi (1,500L)

Pjata përmbante copëza djathi parmixhano, disa gjethe valeriana, kaperi, salcë limoni dhe disa copëza portokalli. Në pjatë ndihej butësia e carpaccio-s, përbërësit ishin përgjithësisht në harmoni. 

E vetmja gjë që mbivendoste pak shijen e mishit, ishte sasia e salcës së limonit dhe majonezës. Fetat e portokallit në mendimin tim mund edhe të evitohen sepse aciditeti përftohet nga dressing. Sidoqoftë, shija në tërësi ishte shumë e këndshme.

Tacos me mish viçi (1,400L): Teksturë monotone, pa varjetet. Tortilla ishte pak më e butë seç duhet, mbushja nuk kishte ndërveprim të shijes së ëmbël ose pikante. Shija më ngjau e zbehtë dhe lineare. 

savoy tirana beef tacos

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Fileto viçi (1,900L)Për preferencën time medium rare, mishi ishte gatuar shumë mirë, kishte një shije të butë dhe të pasur. Për të komplementuar pjatën, mishi shoqërohej me patate të freskëta krokante dhe një salcë demiglace delikate – një pjatë e arrirë dhe në harmoni.

Përmbledhje: 8/10
Vlerësova elegancën e ambientit, prezantimin e kuruar të pjatave dhe ekzekutimin e saktë të tyre. Sidoqoftë, në skenën vibrante të restoranteve të pafundme në Tiranë, Savoy-t i mungon veçoria e risisë për çmimin që ofron Sfidë për të arrirë suksesin përtej shuarjes së kuriozitetit, mbetet jo vetëm sigurimi i bukurisë vizuale, por edhe i ndërthurjes me një narrativë kulinare që dallon në treg. 

Vendi nuk përfshihet në top listën time personale (edhe pse e ka potencialin për të qenë aty). E rekomandoj për një darkë romantike apo për ndonjë event formal.

2 Comments

  1. Ema, te pergezoj per kete pershtypje. Eshte e veshtire te jesh objective kur permbledh se cfare te ka pelqyer ose te ka lene shije te keqe ne nje vizite, pa “u inatosur” ose pa “e sheqerosur” pershtypjen te te tjeret. E vleresoj paanshmerine dhe te verteten e permbledhjes. Me shtove kureshtjen ta vizitoj kere restorant, a pasur pritshmeri super te medha per gatimet.
    Shpresoj, qe deri atehere kamarieri I dyte ta kete lene pas sherbimin alla pub 😁

    • Te falenderoj per cdo fjale Genta. Nese do te kisha nje audience jo mirekuptuese, keto shkrime nuk do te ekzistonin. 🌸

Comments are closed.