Airbnb do të ndalojë përdorimin e të gjitha kamerave të sigurisë në ambientet e brendshme

Pritësit/strehuesit do të mund të vendosin ende kamera në ambientet e jashtme, për sa kohë që i shfaqin në mënyrë transparente në listimet e tyre (* listimi në Airbnb nënkupton një listë online të krijuar nga pritësit për të shfaqur apo reklamuar pronat e tyre në platformën Airbnb)

Në një përditësim të para pak ditësh mbi politikën e saj, platforma Airbnb deklaroi se do të ndalojë përdorimin e kamerave të sigurisëambientet e brendshme të pronave në të gjitha listimet e saj në mbarë botën, pavarësisht nga qëllimi apo vendndodhja e tyre.

Në një përpjekje për të thjeshtuar politikën rreth kamerave të sigurisë dhe pajisjeve të tjera, pritësit nuk do të lejohen më të përdorin kamera në asnjë zonë të shtëpisë, duke filluar nga 30 prilli i këtij viti.

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Aq serioz duket të jetë ky rregull i ri, sa sipas kompanisë, çdo shkelje e politikës së rishikuar do të hetohet dhe listimi ose mbajtësi i llogarisë, ka shumë gjasa të hiqet nga platforma.

Duhet thënë se deri më tani, pritësit kanë patur mundësinë të përdorin kamera sigurie të brendshme në zonat e përbashkëta të një prone, si korridoret dhe dhomat e ndenjes, për sa kohë sa të gjitha të dhënat për këto kamera paraqiteshin në faqen e listimit përpara se ajo pronë të rezervohej nga klienti. Megjithatë, në zona të tilla si tualetet dhe dhomat e gjumit, kamerat kanë qenë të ndaluara të përdoren.

Përditësimi i kësaj politike thjeshton qasjen tonë dhe e bën të qartë faktin se kamerat e sigurisë nuk do të lejohen të shfaqen në listime, pavarësisht vendndodhjes, qëllimit ose informacionit paraprak mbi praninë e tyre nga ana e klientit”, njoftoi Airbnb.

Juniper Downs, kreu i politikave dhe partneriteteve të komunitetit të Airbnb, deklaroi se përditësimi ofron një qartësi më të madhe se çfarë secili prej nesh mund të presë në një Airbnb dhe bazohet në bisedat që kompania ka pasur me klientët/të ftuarit, pritësit dhe ekspertët e privatësisë.

Airbnb njoftoi se shumica e listimeve të saj nuk kanë kamera sigurie, kështu që ky përditësim pritet të ndikojë vetëm në një nëngrup të vogël listimesh në platformë.

Pavarësisht këtij ndryshimi, pritësit do ta kenë ende të mundur të përdorin pajisje si kamerat në zilen e derës dhe monitorët e decibelit të zhurmave (* decibeli mat intensitetin e zhurmës), kështu që pritësit mund të vazhdojnë të monitorojnë sigurinë për shtëpinë e tyre dhe të përballen me çështje që lidhen me sigurinë me palët e tjera nëse lind nevoja.

Megjithatë, atyre do t’u kërkohet të tregojnë në listimet e tyre nëse kanë kamera të vendosura në ambientet e jashtme dhe nëse po, duhet të paraqesin vendndodhjen e tyre, në mënyrë që klientët ta kenë të ditur përpara se të rezervojnë. Këto pajisje gjithashtu nuk mund të monitorojnë hapësirat e brendshme ose zonat jashtë të cilat konsiderohen tepër private, si dushet apo saunat e mbyllura të vendosura në hapësira jashtë shtëpisë.

Pritësit duhet gjithashtu të zbulojnë nëse kanë monitorë të decibelit të zhurmave, të cilët vlerësojnë vetëm nivelet e decibelit dhe nuk regjistrojnë ose transmetojnë tinguj ose biseda. Këto pajisje lejohen vetëm në hapësirat e zakonshme të listimeve, sipas kompanisë.

Burimi: Fox Business – përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light