Shkrim i muajit prill 2022
Vendndodhja: Rruga “Kujtim Laro” te Vorri i Bomit
Ofron: gatime deti
Çmimi: ~2,500-3,000L / person (pa shishe vere)
Abatitor: nuk kam dijeni
Të shtunave, ne si çift përgjithësisht jemi në kërkim të ndonjë restoranti që ofron gatime deti, duke dashur të konsumojmë diçka të lehtë e të shpejtë. Duke ditur këtë, miq të ndryshëm më sugjeruan restorant “Alteo”.
Kur bëhet fjala për restorante me gatim deti, ndonjëherë më vjen të bëj “copy-paste” të njejtin shkrim për shumë ndër to. Është e kuptueshme që qytete apo rajone të ndryshme të paraqesin njëfarë standardizimi në kuzhinë, nisur nga prodhimet apo tradita lokale.
Por, realisht vitet e fundit më duket se gjej të njejtat pjata, të njejtën menu dhe thuajse të njejtën mënyrë gatimi. Gjithçka tejet e përsëritur, gjithçka tejet mediokër.
Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!
Në rastin e Alteos, po guxoj të jem shumë e hapur dhe e drejtpërdrejtë: personalisht më ngjau me stereotipin e një “lokali lagjeje” në përpjekje për t’u përshtatur me trend-in gastronomik të kohës.
Shërbimi: ishte i vëmendshëm dhe korrekt. Vlerësova që pjatat ndërroheshin pas konsumimit të çdo ushqimi (nuk ndodh gjithmonë, për më tepër në vende të thjeshta).
Shkurtimisht mbi pjatat që konsumuam:
Tavë me karkalec, pana dhe tartuf (650L): këtë pjatë për nga vetë kaloritë nuk tentoj ta porosis, por më kuriozoi integrimi i tartufit në pjatë e mendova ta provoj. Pana përmbante një sasi të tepruar të salcës së tartufit, kishte konsistencë shumë të dendur si edhe djathë të shkrirë brenda (nuk di të them llojin) – të gjitha këto e bënin këtë pjatë tejet të velshme.
Miks krudosh (çmimi si në faturë): është i dukshëm notimi i krudove në vaj, dhe nuk di ç’kish ngjarë me atë salmon por ishte i thatë (siç duket në foto) dhe i ndenjur në shije.
Lexoni më shumë:
Gjuzë shuar me verë dhe limon: kjo pjatë është e ngrohtë, por tek ne u shërbye e ftohtë. Kamerieri filetoi gjuzën para se të na e shërbente, edhe këtë e vlerësova.
Është e drejtë që të ketë opsione për çdo nivel kërkese, sidoqoftë do të sugjeroja pak më tepër kurim si në arredimin e restorantit, ashtu edhe në pjatat e shërbyera prej tij. Suksese!