/

Van Gogh Tirana / Review

van gogh tirana review

Nuk di ç’më intrigoi më shumë për të vizituar këtë restorant: emri i piktorit Van Gogh apo lajmi se ambienti kishte papagaj të lirë nën një investim spektakolar. Lidhja me emrin e piktorit me siguri i referohet ngjyrave sepse vibe është më shumë amazonik gjykuar edhe nga papagajtë, por ajo për të cilën të gjithë besoj jemi në një mendje është se investimet në Tiranë ia dalin të të impresionojnë!

van gogh tirana interior
Interieri i Van Gogh Tirana ishte impresionues
van gogh parrots
Papagajtë që fluturonin të lirë ishin një prej gjërave më të veçanta

Nxitova t’a provoj dhe ajo që më la mbresë nga eksperienca ishte një personifikim real i jetesës në Tiranë: një hyrje shumë bazike prej plastmasi ku dukshëm mbledh banorë të lagjes për të kuvenduar, në kontrast me një shfaqje arkitekturore mbresëlënëse (nuk ekzagjeroj kur e quaj kështu efektin wow që më la investimi), që të pret brenda në restorant.

🍹Kam qenë dy herë në këtë vend, të dyja herët për një vakt të shpenguar gocash ndaj po e filloj me cocktail-in: amareto sour (600L) – ndër më të dobëtit që kam provuar, për më tepër shërbyer në gotën e gabuar. Cocktail-i nuk kishte asnjë element ‘sour’ sepse ishte tërësisht shurup i ëmbël.

🥗 Sallatë Tropikal: 1,100L
Quinoa ishte shoqëruar me mango, ananas, karkaleca, kastravec, të gjithë përbërës që shkojnë mirë bashkë, por në tërësi vinte pakea thatë, do ishte balancuar më mirë po të kishte më shumë aciditet.

van gogh sallate tropikal
sushi uramaki van gogh tirana

🍣 Sushit:

Ne kemi porositur uramaki të ndryshme. Cilësia ishte e zakonshme, e ngjashme me çfarë kemi hasur në shumë restorante të Tiranës. Sushit ishin të realizuara kënaqshëm për shijet tona. Çmimet janë mesatare, jo shumë të larta.

🐟 Sashimi salmon:

Prerja më e zakonshme është ‘hiramasa’, një fetë e gjatë dhe uniform në trashësi (rreth 6mm), e madhe mjaftueshëm për të shfaqur ngjyrën dhe teksturen e ‘mermertë’ të salmonit. Tek Van Gogh të dyja herët, me erdhi një fetë tejet e hollë (në një pjesë gati e tejdukshme), dhe jo e një-trajtshme.

van gogh salmon sashimi
van gogh tirana service

🧑🏻‍💼Shërbimi:

Korrekt dhe i shkujdesur në sensin ‘casual’, i përshtatet atmosferës në tërësi.

Përmbledhje:

Fokusi në vende si Van Gogh është më shumë tek ambienti dhe përvoja sesa tek ushqimi apo shërbimi i kujdesur, ndaj duhet disi më shumë vëmendje për t’i krijuar klientit një eksperiencë të plotë në mënyrë që ai të rikthehet.

Personalisht, i kam shmangur organizimet me muzikë live, pasi Van Gogh më duket një ambient shumë i ngushtë për këto lloj organizimesh.

Vlerësova shumë informacionin e saktë në website.

Sugjerim: Do preferoja që menuja të përfshinte më shumë opsione vegjetariane dhe vegane, si dhe informacion për produkte alergjike. Menuja me skanim gjithashtu do të ishte bonus.

van gogh tirana bill
Fatura për 2 persona në Van Gogh Tirana