Greva e Lufthansës: Këtë javë pritet të ketë ndërprerje të konsiderueshme të fluturimeve në të gjithë Gjermaninë!

Rreth 80-90% e fluturimeve u prekën gjatë grevës së fundit.
Fluturimet dhe trenat në të gjithë Gjermaninë do të ndërpriten masivisht këtë javë për shkak të grevave. Linja ajrore gjermane Lufthansa njofton se pritet të preken gjerësisht programet e fluturimeve. “200,000 pasagjerë ka të ngjarë të ndikohen nga greva, që do të thotë se rreth 1,000 fluturime në ditë do të anulohen” – njofton agjencia gjermane e lajmeve dpa.
Fluturimet e ditës së enjte (7 mars) dhe të ditës së premte (8 mars), do të jenë më të prekurat. Oraret zyrtare të grevës së stafit të terrenit të Lufthansës janë: ora 20:00 e ditës së mërkurë, deri në orën 7:10 të mëngjesit të së shtunës. 

Është hera e tretë përgjatë këtij viti, që një grevë ka shkaktuar anulime masive të fluturimeve për Lufthansën.

Abonohuni për të mos humbur
asnjë artikull nga Ema’s Light!

Përse po ndodhin grevat e transportit në Gjermani?

Mosmarrëveshjet midis punonjësve dhe kompanive të transportit, kanë vijuar prej muajsh në Gjermani. Së bashku me kërkesën për rritje të pagave, sindikata GDL* ka bërë thirrje që orari i punës të reduktohet nga 38 në 35 orë në javë pa ulje page, kërkesë të cilën operatori i trenave Deutsche Bahn (DB) e ka refuzuar. Sindikata Ver.di kërkon një rritje pagash prej 12.5%, ose të paktën 500 euro më shumë në muaj, për gati 25,000 punëtorë të terrenit të Lufthansës. Këtu përfshihen edhe ata që punojnë në check-in, në trajtimin e avionëve, apo në mirëmbajtjen dhe transportin e mallrave. 

Negociatat rreth kushteve të kontratave po ndodhin njëkohësisht në disa vende. Si pasojë, punonjësit në sektorët e transportit hekurudhor, ajror dhe rajonal në Gjermani, kanë braktisur punët për t’iu bashkuar grevës.
Kryenegociatori i Ver.di, Marvin Reschinsky tha se grevat vijnë në një kohë kur punëtorët e terrenit mezi po fitojnë pagën minimale. Megjithatë, Lufthansa po mburret me një marzh të lartë fitimi. “Askush nuk mund ta kuptojë që kjo kompani do të shpallë rezultate vjetore rekord këtë javë, se bonuset për anëtarët e bordit do të rriten ndjeshëm dhe se punonjësit e terrenit me paga prej 13 euro në orë, në disa raste nuk dinë më si të sigurojnë bukën e gojës në qytetet më të shtrenjta të Gjermanisë”, tha Reschinsky në një deklaratë.

Me grevën paralajmëruese, sindikata dëshiron të rrisë presionin ndaj Lufthansës përpara raundit të pestë të planifikuar të negociatave kolektive më 13 dhe 14 mars.

Si të zbuloni nëse fluturimi juaj është anuluar?

Në një deklaratë, Lufthansa thotë: “Pasagjerët të cilët do të preken nga një parregullsi, do të informohen në lidhje me anulimet dhe opsionet e riprenotimit me email ose në aplikacionin Lufthansa. Sigurohuni që të dhënat e kontaktit në rezervimin tuaj të jenë të përditësuara, në mënyrë që linja ajrore të mund t’ju kontaktojë lehtësisht.” Ata këshillojnë pasagjerët që të kontrollojnë këtë faqe përditësime.

Kujdes: në të kaluarën, shërbimi ndaj klientit të Lufthansës ka paralajmëruar klientët se po qarkullon një numër i rremë WhatsApp-i. Linja ajrore nuk ka një llogari në WhatsApp për të komunikuar me klientët.

Greva e Lufthansës: A mund të merrni një rimbursim?

Lufthansa ka deklaruar: “Fluturimet që janë anuluar për shkak të grevës mund të ri-rezervohen pa pagesë në http://lufthansa.com, në aplikacionin Lufthansa ose nëpërmjet qendrave të shërbimit”.
Kompania shton më tutje: “Për shkak të grevës, sportelet e riprenotimit fatkeqësisht nuk kanë staf.”
Nëse fluturimi juaj është brenda për brenda një shteti, mund të merrni një kupon për një udhëtim të barazvlefshëm me tren nëpërmjet faqes së internetit të Lufthansës.
Sipas rregullave të BE-së, ju keni të drejtë për një rimbursim të plotë nëse fluturimi juaj anulohet.

Greva e trenave në Gjermani: Cilat shërbime do të preken?

Greva për shërbimet e trenave në distanca të gjata dhe rajonale fillon në orën 2 të mëngjesit të së enjtes dhe, sipas sindikatës GDL, do të zgjasë deri në orën 13:00 të së premtes. Megjithatë këto orare mund të ndryshojnë.

Largimi nga detyra (greva) e punëtorëve të GDL-së do të prekë trenat e Deutsche Bahn (DB). Gjatë grevave të mëparshme, DB ka operuar gjatë orareve të emergjencës. Megjithatë, këto greva nuk do të paralajmërohen 48 orë përpara, kështu që mund të jetë e pamundur për DB të parapergatitet.

Në një deklaratë, DB thotë: “Gjatë grevës, DB do të ofrojë një shërbim bazë për udhëtimet në distanca të gjata, rajonale dhe S-Bahn. Ne rekomandojmë të rezervoni një vend në shërbimet në distanca të gjata. Oferta bazë mund të shihet në orarin e informacionit në bahn.de dhe në aplikacionin DB Navigator. DB kërkon nga udhëtarët të kontrollojnë nëse transporti i tyre nga një vend në tjetrin është i mundur 24 orë para nisjes.

Empty train station in Cologne, Germany

Informacioni i plotë nga DB, duke përfshirë mënyrën se si të rezervoni ose merrni një rimbursim, është i disponueshëm këtu.

*bashkësia e Gjermane e shoferave te lokomotivave

Burimi: Euronews – përkthyer dhe përshtatur nga editorët e Ema’s Light.